Tel: 00355 4 2223991; 00355682021894

Qendra Kryesore E Biznesit Ne Shqiperi.

Liderat e inovacionit

Çfarë mund të mësojnë vëndet në zhvillim nga liderët e inovacionit në një botë post-COVID-19?

 

Gjatë muajve të fundit janë shkruar shumë artikuj në lidhje me ndikimin që COVID-19 do të ketë në qeverisje, bizneset dhe shoqëritë tona. Kuptohet që vemendja ka qenë e fokusuar në shërbimet shëndetësore, luhatjet e bursave, regresi ekonomik dhe efektet e paimagjinueshme që virusi po shkakton në jetën tonë të përditshme. Por a nuk do të ishte interesante për një moment të hiqnim vemendjen nga sfidat dhe veshtirësitë dhe ta përqendronim atë në një lloj tjetër diskutimi, atë që fokusohet në mundësitë, që ngjarje si këto ofrojnë për shoqëritë tona?

Teksa nxitojmë të kthehemi ne normalitet, shumë qeveri perëndimore po e përdorin këtë moment për të prezantuar strategji të reja inovacioni, po japin mbeshtetje financiare, për ekonomitë e tyre të dëmtuara, me synimin për të dalë nga kriza më të fortë, drejt një të ardhmeje më të qëndrueshme.

 

Cilat janë disa nga këto potenciale?

 

 

Gjermania për shembull, publikoi në qershor të 2020 ‘Strategjinë Kombëtare të Hidrogjenit’  që synon ta shndërrojë vendin në një nga liderët e zhvillimit të teknologjisë së prodhimit të hidrogjenit në vitet në vijim. Qëllimi që vendi i ka vendosur vetes, të prodhoje 65% të energjisë nëpërmjet burimeve të rinovueshme deri në vitin 2030 dhe te qënit karbon neutral deri në vitin 2050 mund të arrihet vetëm nëse ndodh i ashtuquajturi “sector coupling”. Prodhimi i elektricitetit nga burimet e rinovueshme nuk është i mjaftueshëm kur sektorët e tjerë parësorë janë ende duke u mbështetur në qymyre, gaz dhe naftë. ‘Afrimi’ i këtyre sektorëve, për shembull, ngrohja, transporti dhe proceset industriale, me prodhimin e energjisë elektrike të rinovueshme, pritet të jetë një nga inovacionet më të mëdha të viteve të ardhshme. Kjo temë bëhet edhe më e rëndësishme tani në kuadrin e një rikuperimi ‘të gjelbër’ ekonomik pas pandemisë. Prodhimi i hidrogjenit apo i quajtur ndryshe ‘Power to X’  nuk është i vetmi që po tërheq vëmendjen. Masa të tjera po merren nga qeveria gjermane, si për shembull një fond prej 60 miliardë eurosh për inovacion, kërkime shkencore dhe arsim. Një paketë tjetër financiare prej 2 miliardë eurosh, do të alokohet për të shpëtuar falimentimin e start-upeve, të cilat shihen si veçanërisht të rëndësishme për ekosistemin e inovacionit. Investimet në Inteligjencën Artificiale do të përfitojnë 3 deri në 5 miliardë euro deri në vitin 2025 dhe të mos harrojmë të ashtuquajturin “EU Green Deal” që përfaqëson strategjinë e gjelbër europiane prezantuar në fund të vitit të kaluar, që nëse zbatohet sic duhet nga vendet anëtare të BE-së, është një plan solid që shtron terrenin për një të ardhme të qëndrueshme .Por cilat janë disa nga këto teknologji inovative qe janë në qëndër të vëmendjes në Europë?

Prodhimi i energjisë së rinovueshme nga ‘teknologjitë lundruese’ të erës dhe diellit (Floating wind / Floating Solar)

Era dhe fotovoltaikët konsiderohen tashmë që prej disa vitesh teknologji ‘të maturuara’. Sfida e së ardhmes do të jetë se si ti bëjmë këto teknologji “me kosto tepër të ulta” dhe se si të shtrijmë ato përtej hapësirave të kufizuara në të cilat mund të ndërtohen. Teknologjitë lundruese të diellit dhe erës e ofrojnë këtë potencial. Ato premtojnë mundësinë e zgjerimit e përhapjes territoriale të burimeve të rinovueshme përtej ujërave të cekëta, në zona të thella detare (për erën) dhe për fotovoltaiket lundrues, potenciali vlerësohet të jetë të paktën 400 GW në tregun global. Disa nga gjigandët e prodhimit të rinovueshmeve si përshembull Orsted, Equinor, Shell apo RWE janë përfshirë tashmë në betejën e bërjes sa më shpejt komerciale, të këtyre teknologjive.

Parandalimi i mbetjeve plastike

Riciklimi i plastikës është një biznes i ndërlikuar (dhe konfuz). Disa biznese interesante inovative janë duke u përpjekur të gjejnë një zgjidhje për problemin, e megjithatë deri më sot nuk ka një teknologji globale për të zgjidhur krizën e mbetjeve plastike. Ky është bërë një problem edhe më i madh pas rishfaqjes së pajisjeve mbrojtëse personale një përdorimshe në përpjekje për tu mbrojtur nga COVID-19. Sfidat rreth riciklimit të plastikës janë pak më komplekse sesa për shembull riciklimi i letrës, kështu që zgjidhjet duhet të kombinohen me masa të forta rregullatore. Hipli, Cleanseasolutions dhe Arekapak janë të gjithë start-up-e evropiane që po eksplorojnë ofrimin e alternativave të përdorimit të plastikës.


‘Interneti i Gjërave’ (IoT), Robotika dhe Automatizimi i Proceseve

UIPath, është një start-up rumun që ndërton ‘software’ robot me qëllim automatizimin e proceseve të përsëritura të bizneseve. Blue Prism në Angli dhe Automation Anywhere në SH.B.A. po bëjnë të njëjtën gjë dhe të gjitha këto kompani janë në një garë për tu bërë liderat globalë në fushën e automatizimit. Cilado prej tyre që do të jetë e sukseshme do të udheheqë në vitet në vazhdim një nga shtyllat më të rëndësishme të Industrise 4.0, automatizimin.

 

A mund të transferohet ky zhvillim i shpejtë i inovacionit nga vendet perëndimore në rajone më pak të zhvilluara, të cilat, le të themi nuk kanë domosdoshmërisht fuqinë financiare për të dhënë paketa ndihme, ose që u mungon stabiliteti politik për të zbatuar politika të reja inovative? Nëse do të ishim pesimistë, përgjigjja do të ishte padyshim ‘Jo’. Por nëse do të kemi një qasje më ‘optimiste’, atëherë mund të zbulojmë mënyra krijuese se si mund te zhvillojmë inovacionin në vende më pak të zhvilluara si psh. vendet e Evropës Juglindore. Termi ekonomik në gjuhën angleze ‘Leapfrogging’ përdoret shpesh në fushat e biznesit dhe ekonomisë për të përshkruar mënyra të reja të zhvillimit ekonomik dhe inovacionit. ‘Leapfrogging‘ mund të ndodhë kur një vend në zhvillim arrin të kapërcejë etapat e ndërrmara nga vendet industriale, duke bërë kështu të mundur një zhvillim edhe më të shpejtë ekonomik. 

Në këtë pikëpamje vendet e Evropës Juglindore, të cilat nuk ndodhen gjeografikisht shumë larg nga “Silicon Valley” e Evropës, mund të “kapërcejnë” etapat e ngadalëta të zhvillimit ekonomik në të cilat gjenden dhe mund të ‘kopjojnë’ pa shume përpjekje gjithçka  është duke ndodhur tashmë në Evropë.


 

  1. Ekonomitë e tyre janë më pak të komplikuara sesa vendet industriale.

    Nuk ekzistojnë sisteme rregullatore për cdo gjë, kështuqë për të bërë inovacion nuk ka nevojë të ‘çmontohen’ struktura ekzistuese. Çdokush mund të inovojë lirshëm dhe të shfrytëzojë këto rajone si ‘tregje testimi’ ose si vende për të krijuar projekte pilote. Nën këtë narrativë nuk do të ishte aspak e vështirë për të tërhequr start-up-e dhe biznese evropiane duke zhvendosur qëndrat e tyre në Tiranë ose në Beograd. Skena e start-up-eve ne Beograd është e përbërë nga një portofol i larmishëm kompanish që ofrojnë zgjidhje nga ‘minierat e cryptocoin’ e deri tek aplikacionet e ndryshme. Interesant është fakti që tashmë kompanitë që merren me inovacion në Sërbi paguajnë 0% taksë mbi të ardhurat. Tirana, nga ana tjetër, ofron mundësinë e ndërthurjes së biznesit me gjallërinë e jetes pranë plazhit.
  1. Që të fillosh të inovosh, një pikënisje e mirë është edhe adaptimi i zgjidhjeve që ekzistojnë tashmë diku tjetër. Blerja dhe pagesat online, bankat fin-tech dhe trasnporti inovativ janë të gjitha ide që ekzistojnë por që njëkohësisht nuk kërkojnë investime të mëdha për tu implementuar.
  1. Zgjidhja e problemeve lokale apo rajonale në vend të të menduarit për të “inovuar kryekëput” sektorët industrialë është gjithashtu jo e vështirë. Për shembull: Sa i lehtë është ky inovacion (sistem pompimi i levizshem diellor), i propozuar nga disa studiues indianë për të ndihmuar fermerët të ujisin tokat bujqësore me energji diellore. Në të njëjtën frymë Agremo dhe Smart Watering janë dy start-up-e sërbe që ofrojnë zgjidhje për të optimizuar prodhimin bujqësor.
  1. Është shumë më e lehtë të bëhesh sipërmarrës kur ekzistojnë ‘hube’ inovacioni. Ato nuk kërkojnë investime të larta dhe janë një burim i shkëlqyeshëm informacioni për biznesmenët e rinj. Edukimi i sipërmarrësve të së nesërmes, duke u dhënë atyre një platformë për të menduar në mënyrë kreative ‘out of the box’ është ndonjëherë po aq e rëndësishme sa investimi i drejtpërdrejtë financiar në inovacion.

Pra, a ka ardhur koha që Tirana, Beogradi dhe Shkupi të shndërrohen në qendra të inovacionit në rajon?

 

Irid Bufi

RWE, Germany

 

 

 

 

 

 

 

 

Burimet në Internet:

 

https://www.bmwi.de/Redaktion/DE/Publikationen/Energie/die-nationale-wasserstoffstrategie.pdf?__blob=publicationFile&v=12

 

https://blog.energybrainpool.com/en/sector-coupling-how-far-is-germany/

 

https://www.youtube.com/watch?v=AygLAlTN9Io

 

https://www.rechargenews.com/wind/energy-sector-lukewarm-about-130bn-german-post-covid-19-stimulus-plan/2-1-820341

 

https://www.bmbf.de/de/zukunftspaket-fuer-das-innovationsland-deutschland-11825.html

 

https://www.bundesfinanzministerium.de/Content/DE/Pressemitteilungen/Finanzpolitik/2020/04/2020-04-01-PM.html

 

https://eur-lex.europa.eu/resource.html?uri=cellar:b828d165-1c22-11ea-8c1f-01aa75ed71a1.0002.02/DOC_1&format=PDF

 

https://benelux.climate-kic.org/start-ups-in-the-plastics-value-chain/

 

https://en.wikipedia.org/wiki/Leapfrogging#cite_note-2

 

https://sifted.eu/articles/smaller-hubs/